Konsakrim i lirisë së besimit dhe demokracisë
Vizita e Shënjtërisë së Tij Papës Gjon Pali i Dytë në Shqipëri shënon kulmin e një etape të re në zhvillimin spiritual të shqiptarëve, të cilëve për më se pesë dekada iu mohua e drejta e besimit, liria e mendimit dhe e fjalës. Dhe kjo mund të thuhet jo vetëm për ithtarët e besimit katolik, por edhe për të gjithë besimtarët e tjerë, sikundër mund të thuhet me plot të drejtë edhe për ateistët, pasi edhe ata si të gjithë të tjerët ishin të cënuar në të drejtën e tyre për të menduar të lirë. Regjimi komunist duke shkallmuar besimet, duke robëruar mendimin, u përpoq të krijonte një besim të ri, i cili kishte për idhuj njerëz të korruptuar, egoistë, mediokër, që vinin interesat e tyre pushtetmbajtëse mbi interesat shpirtërore, morale dhe materiale të bashkëkombasve të tyre.
Është një gëzim i madh që vjen për ta dëshmuar tabllonë e re të lirisë së mendimit dhe të besimit në kushtet e demokracisë së porsakrijuar në Shqipëri një luftëtar kaq i palodhur për të drejtat njerëzore dhe kundër shtypjes shpirtërore të regjimit komunist, siç është Shënjtëria e tij Papa Gjon Pali i Dytë, udhëheqësi i Kishës Katolike Botërore, i cili edhe nga vetë eksperienca e tij jetësore i ka njohur restriksionet dhe humnerat shpirtërore nën regjimin komunist.
Shënjtëria e Tij vjen në një vend, populli i të cilit ka qenë shembulli i tolerancës fetare, ku ithtarë të besimit katolik, orthodoks dhe mysliman kanë bashkëjetuar gjatë shekujve dhe kanë bashkëpunuar për lartësimin e qytetërimit të tyre.
Shënjtëria e Tij vjen në një vend, i cili është i pasur me traditat e besimit katolik, për të cilin kanë luftuar me penë dhe armë prelatë të tillë të Kishës dhe intelektualë të shquar të epokës së tyre, si Pal Engjëlli, Marin Barleti, Gjon Buzuku, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta dhe plot të tjerë.
Ai vjen për të shuguruar arqipeshkvët dhe ipeshkvët e rinj të kishës katolike shqiptare, që gjithashtu kanë kontribuar në ruajtjen dhe forcimin e besimit në besimtarët katolikë, dhe me shembullin e tyre, edhe tek besimtarët e feve të tjera.
Ky nuk do të jetë vetëm shugurimi i klerikëve të lartë të Kishës katolike, por do të jetë njëkohësisht edhe shugurimi i demokracisë së vërtetë që është duke u ndërtuar në Shqipëri. Prandaj dhe vizita e Shënjtërisë së Tij Papës Gjon Pali i Dytë do të pritet me gëzim jo vetëm nga besimtarët katolikë, por edhe nga të gjithë shqiptarët, pa dallim nga besimi i tyre.
I urojmë mbarësi Shënjtërisë së Tij Papa Gjon Pali i Dytë në këtë mision të shpalljes botërisht dhe të konsakrimit të përtëritjes shpirtërore të Shqipërisë.
Botuar si editorial në gazetën "Illyria", New York, 23 Prill 1993